Këngëtari i njohur shqiptar Gena ka qenë i ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, ku ka folur për traditat në dasmat shqiptare, përfshirë edhe zakonin e hedhjes së parave gjatë festimeve. Ai u shpreh me humor se kjo traditë ka ndryshuar me kalimin e kohës, pasi sot paratë shpesh i merr çifti, ndërsa më herët i përfitonin muzikantët.
Sipas tij, edhe pagesat për performancat në dasma përcaktohen paraprakisht nga vetë këngëtarët.
“Ka ndryshuar tradita, paratë i merr çifti. Më parë i merrte këngëtari”, u shpreh Gena.
Gjatë intervistës, ai tregoi edhe një ngjarje të pazakontë, kur në një dasmë i janë hedhur rreth 7–8 mijë euro monedha false, duke e vënë në një situatë të sikletshme.
“Kur i çuam lekët në bankë, u trondita kur kuptova që ishin false. Ishte një situatë e turpshme, sepse nuk e prisja”, tha këngëtari.
Ai shtoi se këto kartëmonedha kanë qenë aq të ngjashme me ato origjinale, sa që nuk dalloheshin lehtë, ndërsa theksoi se ndihesh shumë i sikletosur në një situatë të tillë.