Pas incidentit në Kuvend, publikohen pamjet e reagimit të Albin Kurtit
Pas incidentit të ndodhur gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, janë publikuar pamjet e momenteve që pasuan.
Në pamjet e bëra publike, Kurti shihet duke reaguar menjëherë pas incidentit. Fillimisht, ai rregullon flamurin shqiptar të vendosur në tavolinën para tij, ndërsa më pas pastron xhaketën, e cila ishte prekur nga vezët e hedhura.
Pak çaste më vonë, Kurti ngrihet nga ulësja dhe largohet nga salla plenare, ndërsa seanca ndërpritet në një atmosferë të tensionuar.
Incidenti ndodhi pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit. Për këtë arsye, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet.
Menjëherë pas ndërprerjes së seancës, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit, duke shkaktuar tensione në sallë dhe ndërhyrjen e deputetëve të tjerë dhe pjesëtarëve të sigurimit të Kuvendit.
Më vonë, gjatë një konference për media, Kurti shpjegoi se LVV-ja nuk kishte propozuar kandidat për kryetar të Kuvendit për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit. Sipas tij, pa një marrëveshje të tillë, vendi rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Duke komentuar edhe incidentin në Kuvend, Kurti tha se është i gatshëm ta “paguajë këtë çmim”, nëse kjo do të kontribuojë që partitë politike të ulen në një tryezë dhe të dialogojnë për tejkalimin e situatës.
