“Humba edhe gruan, edhe djalin…”/ Dhimbja e shqiptarit pas aksidentit tragjik
“Kam humbur edhe gruan, edhe djalin. Ata po shkonin në punë. Nuk e di çfarë ndodhi… humba gjithçka.”
Me këto fjalë, mes lotësh dhe dhimbjeje të madhe, kryefamiljari shqiptar ka folur për tragjedinë që i mori jetën bashkëshortes dhe djalit të tij.
43-vjeçarja dhe djali i saj 21-vjeçar ishin nisur herët në mëngjes për në punë. Por rruga e tyre u ndërpre tragjikisht rreth orës 07:30, kur automjeti me të cilin udhëtonin u përplas me një kamion.
Përplasja ishte e fuqishme dhe, sipas raportimeve paraprake, nënë e bir humbën jetën në vendngjarje. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit.
Edhe drejtuesi i kamionit ka dhënë dëshminë e tij për momentet para përplasjes. Ai ka deklaruar se po lëvizte në korsinë e tij me një shpejtësi rreth 75–80 km/orë, kur papritur ka parë automjetin që po vinte në drejtim të tij.
Sipas dëshmisë së tij, makina dyshohet se humbi kontrollin, devijoi nga trajektorja dhe përfundoi në korsinë e kundërt.
“Po lëvizja normalisht në korsinë time, me rreth 75 deri në 80 kilometra në orë, pasi kjo ishte shpejtësia e lejuar në atë rrugë. Papritur pashë një makinë që po vinte drejt meje dhe kishte humbur kontrollin”, ka deklaruar shoferi.
Ai ka treguar gjithashtu se tentoi të shmangte përplasjen duke lëvizur në drejtim të majtë, por nuk arriti ta parandalonte aksidentin.
“Makina humbi kontrollin dhe hyri në korsinë time. Unë u përpoqa të lëvizja majtas për ta shmangur, por nuk ia dola. Përplasja ndodhi dhe më pas ndodhi ajo që ndodhi”, është shprehur ai.
Familja me origjinë shqiptare jetonte në Paleokomi. Nëna 43-vjeçare dhe djali 21-vjeçar punonin në të njëjtën kompani, me seli në zonën e plazhit të Ofrynit, dhe atë mëngjes ishin nisur së bashku drejt vendit të punës.
Një udhëtim i zakonshëm për në punë u kthye në një tragjedi të pakthyeshme. Nëna dhe djali humbën jetën në të njëjtin aksident, ndërsa familjarët e tyre mbetën përballë një dhimbjeje të madhe.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë për ngjarjen tragjike.
