Irani ka vendosur në listën e zezë 45 anije, duke i akuzuar se kanë shkelur rregullat e përcaktuara nga autoritetet iraniane për lundrimin në Ngushticën e Hormuzit. Teherani ka paralajmëruar masa ndaj çdo subjekti që bashkëpunon me këto anije ose transporton mallra përmes tyre.
Sipas njoftimit të publikuar në rrjetin X nga Autoriteti Persik i Ngushticës së Gjirit, anijet e përfshira në listë mund të përballen me gjoba, ndalim të lëvizjes apo edhe konfiskim të ngarkesave.
Ngushtica e Hormuzit vijon të jetë në qendër të tensioneve, ndërsa Irani ka bërë të qartë se do të marrë masa ndaj anijeve që, sipas tij, nuk respektojnë rregullat e vendosura për kalimin dhe transportin e mallrave në këtë korridor strategjik detar.
