Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Sterkaj, ka kritikuar mënyrën se si qeveria po menaxhon situatën e krijuar nga protestat, duke theksuar se Policia e Shtetit nuk duhet të përballet e vetme me pasojat e një krize politike.
Sterkaj ka kundërshtuar përdorimin e forcave speciale RENEA për zgjidhjen e situatave politike, duke nënvizuar se çdo ndërhyrje e policisë duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe në raport të drejtë me rrethanat. Ai ka dënuar dhunën ndaj efektivëve, ndërsa ka kërkuar hetim për çdo rast të mundshëm të përdorimit të tepruar të forcës nga autoritetet. Gjithashtu, ai ka vënë theksin te mbrojtja e të miturve gjatë protestave dhe nevoja që qeveria t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve përmes dialogut.
Në reagimin e tij, ish-deputeti u ka bërë thirrje drejtuesve dhe anëtarëve të PS-së që të mos heshtin përballë gabimeve të qeverisë. Sipas tij, mbështetja ndaj partisë nuk duhet të shndërrohet në mbrojtje të individëve të korruptuar apo në justifikim të veprimeve të dhunshme.
Sterkaj ka kërkuar që brenda Partisë Socialiste të ketë më shumë zëra kritikë dhe që përgjegjësia politike të mos ngatërrohet me heshtjen apo bindjen e verbër. Ai ka theksuar se është e nevojshme të mbrohen arritjet e partisë, por edhe të korrigjohen gabimet që dëmtojnë besimin e qytetarëve.
Në përfundim, ai ka paralajmëruar se heshtja nuk është zgjidhje dhe se vendi ka nevojë për përgjegjësi, dialog dhe stabilitet demokratik, jo për thellim të përçarjeve politike.
Mesazhin e tij, Sterkaj e ka mbyllur me një shprehje tipike malësore, duke iu drejtuar socialistëve: “Burri ka kohë me u korit. Mos u korisni!”
