Qeveria ka prezantuar platformën e re “Pasqyra e Çmimeve”, e cila u mundëson qytetarëve të krahasojnë online çmimet e produkteve në rrjete të ndryshme supermarketesh.
Në kuadër të kësaj nisme është edhe programi “KURSE”, që synon uljen dhe mbajtjen e çmimeve të pandryshuara për 212 produkte ushqimore dhe artikuj të higjienës deri më 12 janar 2027.
Ndër produktet me uljen më të madhe të çmimeve janë kripa e jodizuar, me peshë 500 gramë, dhe vezët, të cilat në disa raste do të kushtojnë deri në 40% më pak. Në anën tjetër, ulja më e vogël parashikohet për sheqerin, ku çmimi për një kilogram do të zbresë nga 70 në 69 lekë gjatë periudhës së përcaktuar.
Ulja të konsiderueshme janë parashikuar edhe për produkte të tjera të shportës familjare. Orizi dhe makaronat do të kenë ulje që variojnë nga 4% deri në 26%, ndërsa produktet e bulmetit nga 4% deri në 25%. Për vajin e lulediellit dhe atë të ullirit, uljet do të jenë më të kufizuara, nga 3% deri në 6%.
Edhe artikujt e higjienës personale, përfshirë shampo dhe sapunë të ndryshëm, do të ofrohen me çmime më të ulëta, me ulje që në disa raste arrijnë nga 27% deri në 34%.
Tabela e uljeve të çmimeve për produktet ushqimore:
– Kripë: ulje nga 25% deri në 40%
– Vezë: ulje nga 5% deri në 40%
– Qumësht: ulje nga 4% deri në 25%
– Kos: ulje nga 5% deri në 20%
– Djathë: ulje nga 7% deri në 17%
– Gjalpë: ulje nga 6% deri në 15%
– Miell: ulje nga 5% deri në 24%
– Makarona: ulje nga 4% deri në 22%
– Oriz: ulje nga 4% deri në 26%
– Fasule: ulje nga 15% deri në 20%
– Thjerrëza: ulje nga 7% deri në 25%
– Vaj ulliri: ulje prej 5%
– Vaj luledielli: ulje nga 3% deri në 6%
– Kafe: ulje nga 5% deri në 15%
– Sheqer: ulje nga 1% deri në 7%
Përmes platformës “Pasqyra e Çmimeve”, konsumatorët do të kenë mundësi të informohen më lehtë për çmimet dhe të krahasojnë ofertat, ndërsa nisma “KURSE” synon të lehtësojë shpenzimet familjare për një periudhë tre mujore.
