Violinist shqiptar arrestohet në Francë me 38.3 kg kokainë, në banesë i gjenden armë dhe afro 89 mijë euro
Media franceze “Nice-Matin” ka publikuar detaje të reja nga arrestimi i një violinisti profesionist me origjinë shqiptare, i dyshuar për trafikim droge në Francë.
Sipas raportimit, bëhet fjalë për 45-vjeçarin Beng Bakalli, i cili u ndalua në La Turbie, teksa po udhëtonte drejt Italisë me një automjet Citroën C5 Aircross. Gjatë kontrollit, doganierët francezë konstatuan një parregullsi në pjesën e poshtme të makinës, pranë dyshemesë së pasagjerit.
Një kontroll më i imtësishëm zbuloi dy ndarje të modifikuara dhe të fshehura në dyshemenë e automjetit. Brenda tyre u gjetën pako me kokainë, me një peshë totale prej 38.3 kilogramësh, që sipas vlerësimeve kapin një vlerë prej rreth 2 milionë eurosh në tregun ilegal.
Rasti ka tërhequr vëmendje të veçantë edhe për shkak të profilit të të arrestuarit. Bakalli përshkruhet si violinist profesionist dhe koncertist, pjesë e orkestrës simfonike Victor-Hugo Bourgogne Franche-Comté, me një karrierë të gjatë në muzikë.
Pas arrestimit, autoritetet kontrolluan edhe banesën e tij. Aty u gjetën katër armë zjarri, dy pushkë, një jelek antiplumb, qindra fishekë dhe 88,900 euro cash. Paratë, sipas raportimit, ishin të ndara në kartëmonedha 50-euroshe dhe të mbështjella në qese plastike.
Sa u përket armëve, Bakalli ka deklaruar se është i regjistruar si qitës sportiv. Megjithatë, autoritetet kanë konstatuar se disa prej armëve nuk rezultonin të deklaruara.
Për shumën e parave të gjetura në banesë, 45-vjeçari ka pretenduar se ato i kishte marrë si dhuratë nga babai i tij. Prokuroria franceze ka shprehur dyshime për këtë shpjegim, duke marrë në konsideratë edhe sasinë e madhe të drogës dhe mënyrën e sofistikuar të fshehjes së saj.
Sipas deklarimeve të tij, Bakalli ka pranuar se do të merrte 20 mijë euro për transportin e drogës. Ai ka treguar se ishte përfshirë në këtë histori përmes disa personave që kishte njohur gjatë një udhëtimi në Shqipëri.
Ai pretendon se automjeti i ishte dhënë nga një garazhist spanjoll dhe se ishte nisur drejt Italisë, ndërsa ka mohuar të jetë kërcënuar apo detyruar për të kryer transportin. Gjithashtu, ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni të hollësishme për personat e tjerë që mund të ishin të përfshirë.
Prokuroria, megjithatë, ka vënë në pikëpyetje versionin e tij, veçanërisht për shkak të sasisë së madhe të kokainës dhe ndarjeve të posaçme të krijuara në automjet. Sipas autoriteteve, këto elemente mund të tregojnë për një aktivitet të organizuar.
Prokurorja ka kërkuar që Bakalli të qëndrojë në paraburgim deri në zhvillimin e gjyqit, duke përmendur edhe rrezikun e përsëritjes së veprës. Mbrojtja ka kërkuar që gjykata të marrë në konsideratë jetën e tij profesionale dhe integrimin në shoqëri.
Gjykata ka vendosur që 45-vjeçari të mbetet në paraburgim, ndërsa procesi gjyqësor pritet të zhvillohet në muajin tetor. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me një dënim deri në 10 vite burg.
Para vendimit për paraburgimin, Bakalli raportohet të ketë thënë: “Nuk mund ta kuptoj madhësinë e asaj që kam bërë. E kuptoj që do të humbas gjithçka.”
Hetimet vijojnë për të zbardhur origjinën dhe destinacionin e kokainës, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë lidhje me rastin.
Bakalli mbetet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
