Një aheng familjar në Prishtinë ka përfunduar nën vëmendjen e Policisë, pasi të shtënat me armë të dëgjuara në zonë alarmuan autoritetet të shtunën mbrëma, raporton ekskluzivisht Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 29 gusht, rreth orës 21:30, në rrugën “Osumi” në Prishtinë.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari për të shtënat është 23-vjeçari Fuad Berisha, i cili është identifikuar pas intervenimit të njësive policore në vendin e ngjarjes.
Policia ishte njoftuar fillimisht për të shtëna me armë zjarri. Pas mbërritjes në lokacion, zyrtarët policorë kanë konstatuar se aty po mbahej një aheng familjar.
Gjatë kontrollit në zonë, Policia ka gjetur disa gëzhoja, ndërsa në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe një armë me gaz.
Hetimet e zhvilluara në vendngjarje dyshojnë se pas të shtënave qëndron 23-vjeçari Berisha. Sipas informacioneve të Sinjalit, ai ka pranuar para zyrtarëve policorë se kishte shtënë me armë, duke deklaruar se arma ishte në pronësi të tij.
I riu është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e Hetimeve dhe Forenzikës, të cilat kanë kryer ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme.
Si prova materiale, Policia ka sekuestruar armën, një karikator dhe gjithsej 31 gëzhoja. Materialet e sekuestruara pritet t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.
Për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që ndaj 23-vjeçarit të iniciohen rastet për veprat “Përdorim i armës” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Pas përfundimit të intervistimit dhe procedurave policore, 23-vjeçari është liruar dhe rasti do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt nga organet kompetente.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos dëshmohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
