ATK paralajmëron kontrolle të shtuara gjatë sezonit të dasmave, në fokus këngëtarët, sallonet dhe bizneset e tjera
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka paralajmëruar intensifikim të kontrolleve ndaj bizneseve dhe personave që ofrojnë shërbime gjatë sezonit të dasmave dhe ahengjeve familjare.
Në fokus të këtyre kontrolleve pritet të jenë aktivitetet që gjatë muajve të verës kanë rritje të konsiderueshme të punës, përfshirë organizimin e dasmave, fejesave dhe ceremonive të ndryshme.
Kontrollet nuk do të përqendrohen vetëm te sallat e dasmave dhe hotelet. ATK pritet të monitorojë edhe këngëtarët, grupet muzikore, DJ-të, fotografët dhe videografët që ofrojnë shërbime me pagesë.
Vëmendje do t’u kushtohet gjithashtu salloneve të bukurisë, frizerëve, salloneve të ondulimit, grimerëve dhe profesionistëve të tjerë që ofrojnë shërbime të lidhura me ceremonitë.
Në kuadër të kontrolleve do të përfshihen edhe organizatorët e eventeve, kompanitë e dekorimit, bizneset që ofrojnë automjete me qira, përfshirë “Rent a Car”, si dhe ëmbëltoret dhe luleshitësit.
Sipas paralajmërimit, një tjetër element që mund të merret në konsideratë gjatë verifikimeve janë edhe rrjetet sociale.
Publikimet në Facebook, Instagram, TikTok dhe platforma të tjera mund të shërbejnë si indicie për zyrtarët tatimorë gjatë verifikimit të aktiviteteve ekonomike dhe të ardhurave të realizuara.
Fotot apo videot nga dasmat, koncertet, shërbimet fotografike, grimi, frizura, dekorimet apo aktivitete të tjera komerciale mund të përdoren si informacion fillestar për të kontrolluar nëse aktiviteti është zhvilluar dhe nëse të ardhurat janë deklaruar sipas obligimeve tatimore.
Megjithatë, ATK sqaron se një publikim në rrjetet sociale nuk nënkupton automatikisht se është kryer shkelje. Ai mund të shërbejë vetëm si indicie për të orientuar një proces të mëtejshëm verifikimi.
Qëllimi i këtyre kontrolleve është luftimi i ekonomisë joformale dhe rritja e nivelit të përmbushjes së obligimeve tatimore.
Për shkak se gjatë sezonit veror rritet ndjeshëm numri i dasmave dhe ahengjeve, edhe aktiviteti ekonomik në këto sektorë është më i madh. Për këtë arsye, ATK synon të kontrollojë të ardhurat e realizuara nga shërbimet dhe produktet që lidhen me organizimin e ceremonive.
Detyrimi për deklarimin e të ardhurave vlen si për bizneset, ashtu edhe për personat fizikë që ofrojnë shërbime me pagesë dhe kanë obligime tatimore sipas legjislacionit në fuqi.
Në mesin e aktiviteteve që mund të jenë objekt kontrolli janë edhe këngëtarët dhe grupet muzikore, fotografët, videografët, frizerët, grimerët, kompanitë e dekorimit, pronarët e sallave, kompanitë e automjeteve me qira, ëmbëltoret dhe luleshitësit.
ATK ka bërë të ditur gjithashtu se qytetarët mund të raportojnë rastet kur kanë informacione apo dyshime për mosdeklarim të të ardhurave ose shmangie të obligimeve tatimore, përmes kanaleve të raportimit të institucionit, përfshirë platformën “Denonco” dhe qendrën e thirrjeve.
Kontrollet pritet të zhvillohen gjatë sezonit të dasmave, me vëmendje të shtuar gjatë fundjavave dhe periudhave kur aktivitetet festive janë më të shpeshta.
Për bizneset dhe profesionistët që operojnë në këta sektorë, mesazhi i ATK-së është i qartë: të ardhurat nga shërbimet me pagesë duhet të dokumentohen dhe deklarohen në përputhje me obligimet tatimore.
Përmes këtyre veprimeve, Administrata Tatimore synon të zvogëlojë aktivitetin ekonomik të padeklaruar dhe të sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë subjektet që ushtrojnë veprimtari ekonomike.