Kthesë e fortë e motit! Fund prilli me shi dhe të ftohtë, Porja zbulon kur “shpërthen” vera
Fundi i muajit prill pritet të sjellë një mot të paqëndrueshëm në të gjithë vendin, me ulje temperaturash dhe reshje të herëpashershme shiu.
Meteorologia Lajda Porja nga MeteoAlb, në një lidhje për “Ora News”, bëri me dije se ditët në vijim do të karakterizohen nga vranësira të shpeshta dhe momente me reshje, duke paralajmëruar se fundjava nuk do të jetë aspak ideale për plazh.
Java nis me kthjellime, por pasditet do të sjellin shtim të vranësirave dhe reshje të përkohshme, sidomos në zonat bregdetare dhe ato perëndimore. Ndërkohë, në zonat malore nuk përjashtohen rrebeshe të izoluara.
Kulmi i këtij ndryshimi pritet të jetë dita e enjte, kur temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme. Në verilindje, termometri mund të zbresë deri në 0 apo -1°C, duke rritur rrezikun për ngrica që mund të dëmtojnë kulturat bujqësore, veçanërisht në zonat juglindore dhe verilindore.
Për shkak të freskisë dhe erës, fundjava nuk do të jetë e përshtatshme për pushime në bregdet, edhe pse reshjet do të jenë më të pakta.
Por ndryshimi i madh vjen me muajin maj! Sipas parashikimeve, që nga data 2 maj pritet një rritje e menjëhershme e temperaturave, duke sjellë kushte tipike verore. Madje, 10-ditëshi i parë i majit pritet të jetë dukshëm më i ngrohtë se normalja.