Hyrja në Kroaci nga ky qershor është bërë më e rreptë për shkak të zbatimit të plotë të rregullave të reja evropiane, raporton “Večernji list”.
Që nga 1 qershori 2026, në Kroaci ka nisur zbatimi i detyrueshëm i deklaratave të përmbledhura hyrëse (USD) për mallrat që futen në territorin doganor të Bashkimit Evropian përmes transportit rrugor ose hekurudhor në pikat kufitare kroate.
Detyrimi për dorëzimin e kësaj deklarate i takon kryesisht transportuesit, por mund të kryhet edhe nga përfaqësuesi i tij, marrësi i mallit ose një person i autorizuar. Për këtë procedurë kërkohet që transportuesi dhe palët përkatëse të kenë një numër aktiv EORI të regjistruar në BE.
Deklarata duhet të dorëzohet të paktën një orë para mbërritjes në rast të transportit rrugor, ndërsa për transportin hekurudhor afati është një deri në dy orë para hyrjes.
Mosrespektimi i këtyre afateve mund të sjellë vonesa dhe pengesa në procedurat doganore në kufi.
Nga ky detyrim përjashtohet bagazhi personal i udhëtarëve, që përfshin sendet personale të nevojshme për udhëtim dhe përdorim individual.
Për mallrat që futen nga vende të treta vlejnë edhe kufij të caktuar pa taksa për përdorim personal: deri në 430 euro për transport ajror dhe detar, 300 euro për transport rrugor dhe hekurudhor, ndërsa për udhëtarët nën 15 vjeç kufiri është 150 euro.
Gjithashtu, ekzistojnë kufizime për alkoolin dhe duhanin: lejohen 40 cigare ose ekuivalent i tyre, 1 litër pije alkoolike të forta ose 2 litra pije më të lehta, si dhe 4 litra verë dhe 16 litra birrë.
Këto përjashtime nuk vlejnë për personat nën 17 vjeç.
Mallrat e transportuara në hapësirën e ngarkesës së automjeteve të dedikuara për transport (si materiale ndërtimi, mobilje, pajisje shtëpiake apo pjesë këmbimi) nuk konsiderohen bagazh personal dhe i nënshtrohen procedurave të plota doganore.
Për udhëtarët që vijnë nga vende të treta si Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova, zbatohen kufizime të veçanta.
Nuk lejohet futja e mishit, qumështit dhe produkteve të tyre.
Megjithatë, lejohet deri në 20 kilogramë peshk dhe produkte peshku për person, si dhe deri në 2 kilogramë mjaltë, vezë dhe produkte të tjera me origjinë shtazore. Po ashtu lejohen deri në 2 kilogramë ushqim për foshnja, ushqim mjekësor dhe ushqim për kafshë shtëpiake.
Produkte si buka, biskotat, çokollata, makaronat dhe suplementet ushqimore mund të futen për përdorim personal pa kufizime të veçanta sasiore.
Çdo tejkalim i këtyre sasisë i nënshtrohet kontrollit veterinar dhe duhet të shoqërohet me dokumentacion përkatës, ndërsa produktet e padeklaruara ose të ndaluara mund të konfiskohen dhe shkatërrohen, si dhe udhëtari mund të gjobitet.