Pas dorëzimit të letrave kredenciale dhe takimit kokë më kokë me Presidentin Bajram Begaj të shtunën, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka nisur zyrtarisht detyrën e tij.
Fillimi i misionit të tij diplomatik u shënua me ceremoninë tradicionale të ngritjes së flamurit amerikan në ambientet e selisë diplomatike të SHBA-së në Tiranë. Pamjet nga ceremonia u publikuan në platformën X, të shoqëruara me një mesazh nga Ambasada Amerikane.
“Një kapitull i ri nis në Shqipëri! Roja e Sigurisë Detare ngriti flamurin amerikan mbi rezidencën zyrtare, ndërsa Ambasadori Wendt merr detyrën. Nën Presidentin Trump, aleancat tona janë më të forta kur qëndrojmë së bashku, ndajmë përgjegjësitë dhe ndërtojmë një të ardhme më të begatë dhe më të sigurt për të dy kombet tona”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Pas ceremonisë, Wendt pritet të nisë edhe takimet e para zyrtare me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare. Sipas gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, burime diplomatike bëjnë me dije se takimi i parë me një zyrtar të qeverisë Rama 4 do të zhvillohet të mërkurën, në orën 11:30.
Ambasadori amerikan pritet të takohet me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në ambientet e ministrisë. Takimi parashikohet të jetë një takim prezantues, ndërsa të dy zyrtarët pritet të kenë bashkëpunim të ngushtë gjatë mandatit të Wendt në Shqipëri.
Gjatë karrierës së tij, ambasadori Eric Wendt është angazhuar në çështje që lidhen me prioritetet e administratës së Presidentit Donald J. Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale.
