Një nismë e re ligjore e propozuar në Kuvend ka rikthyer në vëmendje investimet strategjike në turizëm, duke nxitur debat mes mazhorancës dhe opozitës.
Deputetja socialiste Zamira Sinaj ka depozituar një amendament që synon ndryshimin e ligjit për “Portet turistike”, duke parashikuar që investitorët strategjikë të mund të përfitojnë ndërtimin dhe operimin e porteve pa procedurë gare.
Gjatë mbledhjes së komisionit parlamentar për Turizmin, Sinaj deklaroi se kompania e lidhur me dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, rrezikon të tërhiqet nga investimi në ishullin e Sazanit nëse nuk bëhen ndryshimet ligjore.
“Sazani është rasti kryesor, investitorët janë duke u tërhequr,” u shpreh ajo, duke theksuar se mungesa e qartësisë proceduriale mund të pengojë realizimin e projekteve të mëdha.
Kompania e lidhur me Kushner, “Atlantic Incubation Partners LLC”, ka marrë statusin e investitorit strategjik në dhjetor 2024 për ndërtimin e një resorti turistik në Sazan. Sipas Sinajt, ndryshimi i ligjit do të ofrojë më shumë siguri juridike për investitorët dhe do të shmangë vonesat apo bllokimet në praktikë.
Propozimi parashikon që, në rastet kur një investim strategjik përfshin edhe ndërtimin e një porti turistik, i njëjti investitor të përfitojë automatikisht edhe koncesionin për portin, pa hyrë në garë të hapur, siç kërkon aktualisht ligji.
Sipas deputetes, kjo do të shmangë konfliktet e mundshme mes investitorëve dhe do të garantojë vijueshmërinë e projekteve të mëdha turistike. Ajo shtoi se raste të ngjashme janë evidentuar edhe në qytete si Durrësi dhe Vlora.
Nga ana tjetër, kryetarja e komisionit, Ina Zhupa, e kundërshtoi ashpër këtë nismë, duke e cilësuar si antikushtetuese dhe favorizuese për investitorë të caktuar.
“Në vend që të përfshihen në një garë të hapur, portet turistike po u jepen drejtpërdrejt investitorëve,” deklaroi Zhupa, duke paralajmëruar se një praktikë e tillë cenon konkurrencën dhe barazinë në treg.
Sipas saj, përjashtimi nga procedurat konkurruese krijon trajtim preferencial dhe rrezikon përdorimin joefikas të pasurisë publike.
Debati mbi këtë ndryshim ligjor pritet të vijojë në ditët në vijim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Kuvendi do të miratojë propozimin që lidhet drejtpërdrejt me një nga investimet më të përfolura në vend.