Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të shitjes së karburanteve në Shqipëri, pas mbledhjes së dytë të zhvilluar në kuadër të masave për situatën e veçantë në tregun e hidrokarbureve.
Sipas vendimit të datës 22 shtator 2026, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin është përcaktuar në 213 lekë për litër, ndërsa për shitjen me shumicë në 201 lekë për litër.
Për benzinën, çmimi maksimal me pakicë do të jetë 193 lekë për litër, ndërsa me shumicë 181 lekë për litër.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi sot, më 22 shtator, në orën 12:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur mund të rishikohen në varësi të ndryshimeve në treg.
Bordi ka paralajmëruar operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë se janë të detyruar të zbatojnë çmimet e përcaktuara. Në rast të konstatimit të shkeljeve, ndaj operatorëve mund të merren masa, përfshirë pezullimin e aktivitetit.
Vendimi është marrë në zbatim të masave të ndërmarra nga autoritetet për të monitoruar tregun e hidrokarbureve dhe për të mbrojtur interesat e konsumatorëve.
