Komuna e Gjilan ka marrë vendim që të mbështesë financiarisht nënat lehona për çdo fëmijë të lindur gjatë vitit 2026 me nga 100 euro.
Sipas njoftimit zyrtar, me vendim të kryetarit Alban Hyseni, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka hapur thirrjen publike për aplikim për këtë subvencion.
Drejtoresha Mimoza Kadriu Qerimi u ka bërë thirrje të gjitha lehonave që plotësojnë kriteret të aplikojnë pranë Qendrës për Shërbim me Qytetarë, duke dorëzuar dokumentacionin e kërkuar sipas kushteve të shpallura.
Sipas saj, kjo mbështetje synon të ndihmojë nënat për çdo lindje gjatë vitit 2026. Përfitues janë të gjithë fëmijët e lindur nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa nuk përfshihen rastet e lindjeve jashtë Kosovës.