BE-ja drejt uljes së tarifave për produktet amerikane, synohet shmangia e një lufte të re tregtare
Bashkimi Europian po shqyrton reduktimin e tarifave të importit për një sërë produktesh amerikane, në përpjekje për të ulur tensionet tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Vendimi vjen në një kohë kur administrata e Donald Trump ka paralajmëruar mundësinë e rritjes së tarifave ndaj mallrave europiane, duke shtuar presionin mbi Brukselin për të finalizuar marrëveshjen tregtare me Uashingtonin.
Sipas raportimeve, BE-ja pritet të zbatojë marrëveshjen e dakordësuar më herët me SHBA-në, e cila synon lehtësimin e shkëmbimeve tregtare mes dy palëve. Në kuadër të saj, Bashkimi Europian do të heqë tarifat për një pjesë të produkteve industriale amerikane, ndërsa disa produkte bujqësore dhe detare nga SHBA-ja pritet të përfitojnë qasje më të favorshme në tregun europian.
Në anën tjetër, administrata amerikane pritet të mbajë në 15% tarifat për shumicën e produkteve të importuara nga Europa.
Një nga pikat më të ndjeshme të negociatave mbetet industria automobilistike europiane. Presidenti Trump ka paralajmëruar më herët se ky sektor mund të përballet me tarifa më të larta.
Negociatorët europianë pritet të zhvillojnë fazën përfundimtare të diskutimeve për marrëveshjen, përpara se ajo të dërgohet për shqyrtim dhe votim në Parlamentin Europian.
Ndërkohë, ligjvënësit europianë po shqyrtojnë edhe mundësinë e përfshirjes së një klauzole mbrojtëse, e cila do t’i mundësonte BE-së pezullimin e marrëveshjes në rast të shkeljeve të kushteve nga pala amerikane.
Zhvillimet e fundit tregojnë se marrëdhëniet ekonomike mes Uashingtonit dhe Brukselit vazhdojnë të jenë të ndjeshme, ndërsa të dyja palët po përpiqen të gjejnë një kompromis për të shmangur një përshkallëzim të ri të konfliktit tregtar.
