Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se qeveria do të vijojë të monitorojë situatën ekonomike dhe do të ndërhyjë me masa mbështetëse në rast se rritja e çmimeve bëhet e papërballueshme për pensionistët dhe shtresat në nevojë.
Sipas saj, pas indeksimit të pensioneve të miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, niveli aktual i inflacionit është rreth 3%, ndaj për momentin nuk shihet e nevojshme ndërmarrja e masave të tjera të menjëhershme.
“Gjatë përballimit të krizave kemi pasur gjithmonë vëmendje ndaj grupeve që e kanë më të vështirë të përballojnë rritjen e çmimeve. Aktualisht inflacioni është në nivelin 3% dhe nuk vlerësojmë se situata kërkon ndërhyrje shtesë. Megjithatë, nëse çmimet rriten përtej mundësive të pensionistëve ose shtresave në nevojë, qeveria do të marrë masat e nevojshme për t’i mbështetur”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja njoftoi gjithashtu se gjatë muajit shtator do të prezantohen komponentët kryesorë të reformës së skemës së pensioneve. Sipas saj, në atë periudhë do të bëhen publike edhe fushat konkrete ku do të ndërhyhet për përmirësimin e sistemit.
“Brenda muajit shtator do të bëjmë të ditur komponentët ku do të ndërhyjmë në skemën e pensioneve”, tha ajo.
Në të njëjtën kohë, Ibrahimaj bëri të ditur se qeveria synon të miratojë brenda këtij viti ligjin e ri për investimet strategjike. Ajo theksoi se do të analizohet legjislacioni i vendeve të Bashkimit Evropian për të hartuar një kuadër ligjor në përputhje me standardet evropiane dhe për të nxitur tërheqjen e investimeve, veçanërisht në zonat më pak të zhvilluara.
“Brenda verës do të nisim procesin e konsultimit për ligjin e ri të investimeve, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe me synimin për të tërhequr më shumë investime, sidomos në zonat e disavantazhuara”, përfundoi ministrja.
Be First to Comment