Një lajm i kobshëm ka mbërritur ditën e sotme: është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare themeluesi i medias prestigjioze CNN, Ted Turner.
Lajmi i trishtë është konfirmuar nga vetë rrjeti që ai themeloi. CNN raportoi se Turner mbylli sytë përgjithmonë pasditen e sotme.
Biznesmeni i lindur në Ohajo dhe i rritur në Atlanta, i njohur me nofkën “Goja e Jugut” për natyrën e tij të drejtpërdrejtë, ndërtoi një perandori mediatike. Ai krijoi rrjetin e parë të televizionit kabllor 24-orësh dhe zhvilloi kanale të njohura për filma, vizatime dhe sport.
I njohur ndërkombëtarisht për kontributin e tij në fushën e medias, Turner ishte gjithashtu një filantrop i shquar. Ai themeloi Fondacionin e Kombeve të Bashkuara, mbështeti nisma për eliminimin e armëve bërthamore dhe ishte një ambientalist i përkushtuar, duke u bërë një nga pronarët më të mëdhenj të tokave në Shtetet e Bashkuara.
Edhe pse ia shiti rrjetin e tij Time Warner dhe u tërhoq nga biznesi, Turner gjithmonë shprehte krenari për CNN, të cilën e konsideronte si “arritjen më të madhe” të jetës së tij.
Në vitin 2018, pak muaj para 80-vjetorit, ai zbuloi se vuante nga demenca me trupa Lewy, një sëmundje progresive e trurit. Në fillim të vitit 2025, Turner u shtrua në spital për shkak të një pneumonie të lehtë, përpara se të rikuperohej në një qendër rehabilitimi.
Ted Turner mbylli sytë përgjithmonë më 6 maj 2026, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në botën e medias dhe më gjerë.