Në Bazën Ajrore të Rinasit është inauguruar zyrtarisht Shkolla Kombëtare e Fluturimit, një projekt që synon të forcojë kapacitetet e Forcave të Armatosura dhe të shërbejë edhe si qendër trajnimi për pilotët e vendeve aleate.
Gjatë ceremonisë, kryeministri Edi Rama e cilësoi hapjen e shkollës si një tjetër hap të rëndësishëm në modernizimin e ushtrisë shqiptare, duke theksuar se Forcat e Armatosura kanë pësuar një transformim të madh gjatë viteve të fundit.
Sipas tij, ushtria shqiptare është sot ndër më të mirëpaguarat në rajon, ndërsa objektivi i qeverisë është që, në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, pagat e efektivëve të afrohen me mesataren e vendeve të NATO-s.
“Shkolla Kombëtare e Fluturimit hap sot dyert e saj. Forcat tona të Armatosura janë sot më të mirëpaguarat në rajon dhe synimi ynë është që të arrijmë standardet mesatare të vendeve të NATO-s edhe sa i përket mbështetjes financiare për personelin,” u shpreh Rama.
Kryeministri bëri të ditur se institucioni i ri nuk do të trajnojë vetëm pilotët shqiptarë, por do të jetë i hapur edhe për pilotët e rinj të vendeve aleate të NATO-s, duke veçuar Kosovën si një nga përfituesit e parë të këtij bashkëpunimi.
Ai theksoi se shkolla gëzon besimin dhe vlerësimin e ekspertëve ndërkombëtarë, ndërsa do të luajë një rol të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve profesionale të Forcës Ajrore.
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te përgatitjet për sezonin veror, duke nënvizuar se Forca Ajrore është në gatishmëri të plotë për t’u përballur me emergjencat civile, veçanërisht me zjarret, të cilat mbeten një nga sfidat më të mëdha gjatë muajve të verës.

Be First to Comment