Lajm i rëndësishëm për pensionistët: Detaje të reja për pensionet e pjesshme

 

Gjendja ekonomike e pensionistëve në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më e vështirë, ndërsa numri i përfituesve të pensioneve të pjesshme po rritet me ritme të shpejta.

Të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se gjatë vitit 2025 pensionet e pjesshme përbënin 55.2% të totalit të pensioneve të pleqërisë, nga 52.1% që ishin një vit më parë. Kjo tregon një zgjerim të vazhdueshëm të numrit të personave që nuk arrijnë të plotësojnë kushtet për të përfituar pension të plotë.

Në të njëjtën kohë, numri i përfituesve të pensionit të plotë ka shënuar rënie, duke zbritur nga 287,279 në vitin 2024 në 283,677 në vitin 2025. Ndërsa pensionet e pjesshme janë rritur ndjeshëm, nga 316,781 në 353,983 përfitues, ose 11.7% më shumë brenda një viti.

Masa e pensionit përcaktohet në bazë të viteve të sigurimit dhe kontributeve të derdhura, krahasuar me periudhën minimale të kërkuar nga ligji, e cila po rritet gradualisht dhe ka kaluar 38 vitet. Për këtë arsye, shumë pensionistë marrin vetëm një pjesë të pensionit bazë, me përfitime që shpesh afrohen me nivelin e pensionit social.

Këto të ardhura konsiderohen të pamjaftueshme për të përballuar kostot e jetesës, sidomos në kushtet e rritjes së çmimeve të ushqimeve, barnave dhe shërbimeve shëndetësore. Për pasojë, një pjesë e madhe e të moshuarve detyrohen të vazhdojnë punën edhe pas daljes në pension, shpesh në sektorin informal.

Ekspertët e lidhin rritjen e shpejtë të pensioneve të pjesshme me problemet strukturore të tregut të punës dhe me periudhat e gjata të informalitetit që kanë karakterizuar ekonominë shqiptare gjatë tre dekadave të fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *