Shqipëria tërheq mbi 7 milionë vizitorë deri në korrik, rritet numri i turistëve të huaj
Mbi 7 milionë vizitorë të huaj kanë hyrë në Shqipëri deri në muajin korrik, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se numri i hyrjeve të shtetasve të huaj u rrit me 6.5% në raport me vitin e kaluar. Edhe pse gjatë muajit qershor u vu re një ngadalësim i ritmit, në korrik prurjet turistike shënuan sërish rritje.
Për shumë prej turistëve të huaj, Shqipëria vijon të mbetet një destinacion tërheqës për shkak të natyrës, klimës, ushqimit dhe çmimeve.
“Quhem Sara dhe vij nga Republika Çeke. Është hera e parë që vizitoj Shqipërinë. Pas diplomimit vendosëm të udhëtonim këtu. Kemi qëndruar në jug, në Himarë, dhe tani po kalojmë disa ditë në Tiranë”, u shpreh një turiste çeke.
Një tjetër vizitore tregoi se akomodimin e kishte gjetur përmes Airbnb dhe se vendimin për të vizituar Shqipërinë e kishte marrë edhe pas rekomandimit të prindërve.
“Qëndruam në një apartament që e gjetëm në Airbnb. Çmimet janë të mira dhe ushqimi gjithashtu. Prindërit na e kishin sugjeruar Shqipërinë, pasi kishin qenë këtu vitin e kaluar”, tha ajo.
Sipas të dhënave, në muajin korrik Shqipëria priti rreth 130 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë, duke regjistruar një rritje prej rreth 7.1%.
Megjithatë, përfaqësues të industrisë së turizmit shprehen të rezervuar për interpretimin e këtyre shifrave. Sipas tyre, numri i hyrjeve në kufi nuk përfaqëson domosdoshmërisht numrin real të turistëve.
“Jam skeptik për mënyrën se si interpretohen këto shifra. Hyrjet në kufi nuk nënkuptojnë automatikisht numrin e turistëve, pasi në to përfshihen edhe kategori të tjera udhëtarësh. Ajo që duhet të analizojmë është sa prej tyre qëndrojnë në vend, sa shpenzojnë dhe çfarë ndikimi kanë në ekonominë e turizmit”, deklaroi Besnik Vathi, kryetar i Shoqatës së Tur-Operatorëve.
Pjesën më të madhe të vizitorëve deri në korrik e përbëjnë shtetas nga vendet europiane. Pas tyre renditen turistët nga Amerika, si dhe ata nga Azia Lindore dhe Paqësori.
Nga Azia e Jugut kanë mbërritur mbi 46 mijë vizitorë, ndërsa Shqipëria ka vijuar të presë edhe turistë nga Lindja e Mesme, me më shumë se 20 mijë hyrje, pavarësisht situatës së tensionuar në rajon.
Edhe turistët italianë vijojnë të jenë ndër vizitorët më të pranishëm në Shqipëri.
“Është hera e tretë që vij në Shqipëri brenda dy viteve. Jemi afër, çmimet janë të përshtatshme dhe më pëlqen shumë Tirana, por edhe jugu i vendit”, tha Alberto, një turist nga Italia.
Ekspertët e turizmit vlerësojnë se Shqipëria ka zgjeruar disi hartën e tregjeve nga të cilat tërheq vizitorë, por mbetet ende e varur kryesisht nga tregu europian.
“E kemi zgjeruar disi gjeografinë e turistëve, por sërish mbetemi të përqendruar në disa tregje kryesore. Duhet të punojmë më shumë për të tërhequr vizitorë nga destinacione të reja, veçanërisht jashtë tregut europian”, u shpreh Vathi.
Qeveria shqiptare synon që deri në fund të vitit vendi të presë mbi 13 milionë turistë. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjithashtu se Shqipëria po konsolidohet si një destinacion që tërheq vizitorë nga vende të ndryshme të botës.
