Skip to content

SHBA me njoftim të rëndësishëm për shqiptarët: Mund të anulohen…

# SHBA përgatit revokim masiv vizash, deri në 200 mijë persona mund të preken

Shtetet e Bashkuara po përgatiten të ndërmarrin një nga fushatat më të mëdha të revokimit të vizave në historinë e vendit, ku sipas dokumenteve të Departamentit amerikan të Shtetit mund të preken deri në 200 mijë shtetas të huaj.

Dokumentet, të siguruara nga Associated Press, tregojnë se gjatë javëve të ardhshme pritet të njoftohet anulimi i një numri vizash B1 dhe B2. Bëhet fjalë për viza të lëshuara gjatë periudhës 2016–2026 për persona që më pas kanë aplikuar për azil në SHBA ose që aktualisht kanë një kërkesë për azil në proces shqyrtimi.

Vizat B1 dhe B2 përdoren kryesisht për udhëtime turistike, vizita familjare dhe aktivitete të caktuara biznesi.

### Edhe shqiptarët mund të preken

Masa nuk është e lidhur me një shtetësi të veçantë dhe nuk synon në mënyrë specifike shtetasit shqiptarë. Megjithatë, edhe shqiptarët mund të përfshihen në këtë proces nëse plotësojnë kriteret e përcaktuara nga autoritetet amerikane.

Konkretisht, bëhet fjalë për persona që kanë pasur një vizë B1/B2 dhe më pas kanë paraqitur kërkesë për azil në Shtetet e Bashkuara ose kanë një procedurë azili ende të hapur.

Deri më tani nuk ka të dhëna zyrtare se sa shtetas shqiptarë mund të preken nga revokimi i mundshëm.

### Anulimi i vizës nuk nënkupton dëbim të menjëhershëm

Revokimi i një vize nuk do të thotë automatikisht se personi do të dëbohet nga territori amerikan.

Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga Associated Press, personat që kanë procedura azili në vazhdim mund të humbasin vlefshmërinë e vizës së tyre B1/B2, ndërsa çështjet e tyre të azilit mund të vijojnë të trajtohen sipas procedurave përkatëse.

Për momentin, masa nuk është bërë ende zyrtare. Ajo mund të pësojë ndryshime, të shtyhet ose edhe të kundërshtohet përpara se të hyjë në fuqi.

Autoritetet amerikane pritet të japin më shumë detaje në ditët në vijim lidhur me mënyrën se si do të zbatohet kjo masë dhe kategoritë e personave që do të preken.

Published inNews Shqip