Skip to content

Lajm për pensionistët: Çfarë ndryshon nga muaji shtator

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se qeveria do të vijojë të monitorojë situatën ekonomike në vend dhe do të ndërhyjë me masa mbështetëse nëse rritja e çmimeve do të rëndojë më shumë mbi pensionistët dhe shtresat në nevojë.

Sipas saj, pas indeksimit të pensioneve të miratuar së fundmi nga qeveria, niveli aktual i inflacionit është rreth 3%, ndaj aktualisht nuk vlerësohet se ekonomia ndodhet në një situatë që kërkon masa të reja të menjëhershme.

“Gjatë periudhave të krizave kemi pasur gjithmonë në fokus grupet që e kanë më të vështirë përballimin e rritjes së çmimeve. Nëse në të ardhmen do të ketë një rritje të tillë që prek pensionistët apo familjet në nevojë, qeveria do të ndërhyjë për t’i mbështetur”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja bëri të ditur gjithashtu se gjatë muajit shtator do të prezantohen detajet e reformës së skemës së pensioneve, duke përcaktuar fushat ku priten ndryshime dhe ndërhyrje.

Ndërkohë, Ibrahimaj njoftoi se brenda këtij viti pritet të miratohet edhe ligji i ri për investimet strategjike. Sipas saj, procesi i konsultimit do të nisë gjatë verës, me synim përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian dhe krijimin e kushteve më të mira për tërheqjen e investimeve, veçanërisht në zonat më pak të zhvilluara.

Duke folur për projektin në Zvërnec, ministrja sqaroi se ende nuk ka një projekt përfundimtar të miratuar, pasi po punohet nga arkitektë dhe ekspertë të mjedisit për të garantuar përputhjen me standardet europiane.

Ajo e cilësoi këtë investim si një nga projektet më të mëdha të parashikuara në sektorin e turizmit, me një vlerë rreth 4 miliardë euro, duke theksuar se një investim i tillë do të kishte ndikim të rëndësishëm për një ekonomi me prodhim të përgjithshëm rreth 27 miliardë euro.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *