Skip to content

LAJMI I FUNDIT/ Dyshime për ushtarakë të maskuar si policë në protestë, reagon Kryeministria

Agjencia për Media dhe Informim pranë Kryeministrisë ka reaguar lidhur me pretendimet që po qarkullojnë në rrjetet sociale, sipas të cilave efektivë të Forcave të Armatosura janë përfshirë në protestën e sotme, të veshur me uniformat e Policisë së Shtetit.

Në deklaratën e saj, Agjencia i cilëson këto pretendime si të pavërteta, duke iu referuar qëndrimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila mohon kategorikisht përfshirjen e ushtarakëve në veprimtari policore me uniformën e policisë.

Sipas njoftimit, asnjë pjesëtar i Forcave të Armatosura nuk është angazhuar në detyra policore duke përdorur uniformën e Policisë së Shtetit. Ministria thekson gjithashtu se Forcat e Armatosura i ushtrojnë funksionet e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Në përfundim të reagimit, qytetarëve u bëhet thirrje që të tregojnë kujdes me informacionet që shpërndajnë në rrjetet sociale dhe t’u referohen burimeve zyrtare për të shmangur përhapjen e lajmeve të paverifikuara.

Published inNews Shqip