PENSIONET DREJT RRITJES/ Rama: Pensioni mesatar synohet të arrijë 400 euro deri në vitin 2029
Qeveria synon që deri në fund të vitit 2029 pensioni mesatar për personat me kontribute të plota të arrijë në 400 euro, ndërsa pensioni minimal të shkojë në 200 euro.
Kjo është pjesë e planit të qeverisë për rritjen e pensioneve dhe forcimin e skemës së mbrojtjes sociale, me synim përmirësimin e të ardhurave dhe standardit të jetesës së pensionistëve.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pensionet do të jenë pjesë e një plani katërvjeçar, ku rritja pritet të dyfishohet çdo vit.
“Pensionet kanë hyrë në planin e rritjes, i cili është një plan katër vjet rresht ku çdo vit rritja do të dyfishohet. Sot kemi një pension mesatar 300 euro, nëse i referohemi sigurimeve të plota. Pensioni mesatar do të shkojë 400 euro në Shqipërinë e vitit 2029. Ndërkohë që për pjesën tjetër do të fusim më shumë nga arka e përbashkët”, është shprehur Rama.
Sipas të dhënave të përmendura, në mandatin e parë të qeverisë Rama pensioni mesatar ishte rreth 86 euro, ndërsa në vitin 2024 arriti në rreth 175 euro.
Paralelisht, qeveria ka deklaruar se synon të përshpejtojë edhe digjitalizimin e sistemit të sigurimeve shoqërore. Ky proces pritet të lehtësojë marrjen e shërbimeve nga qytetarët, si dhe të rrisë transparencën dhe gjurmueshmërinë e kontributeve.
Sipas planit të prezantuar, digjitalizimi synon gjithashtu të ndihmojë në reduktimin e informalitetit në tregun e punës dhe të nxisë deklarimin e pagave reale.
