Qeveria amerikane ka tërhequr pjesërisht vendimin e shpallur më 22 maj, i cili do t’u kërkonte aplikantëve për kartë jeshile (green card) të përfundonin procedurat e aplikimit nga jashtë Shteteve të Bashkuara. Vendimi vjen pas reagimeve të shumta dhe kritikave nga organizatat për të drejtat e emigrantëve.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare, institucioni që mbikëqyr politikat e emigracionit, njoftoi se masa nuk do të zbatohet për të gjithë aplikantët, por do të shqyrtohet individualisht, rast pas rasti.
Sipas autoriteteve amerikane, udhëzimi i ri ishte vetëm një kujtesë për punonjësit që të përdorin diskrecionin e tyre gjatë shqyrtimit të rasteve, për të vendosur nëse një aplikanti duhet apo jo t’i kërkohet të largohet nga SHBA-ja dhe të paraqesë dokumentacionin nga vendi i origjinës.
Vetëm pak ditë më parë, Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së (USCIS) kishin bërë të ditur se shtetasit e huaj që qëndrojnë përkohësisht në vend dhe dëshirojnë të pajisen me kartë jeshile do të duhej të ktheheshin në vendin e tyre për të aplikuar, përveç rasteve të veçanta.
Zëdhënësi i USCIS, Zach Kaler, sqaroi se mbajtësit e vizave të përkohshme, si studentët, punëtorët sezonalë apo turistët, lejohen të qëndrojnë në SHBA vetëm për një periudhë të caktuar dhe për qëllime specifike. Sipas tij, sistemi i emigracionit është ndërtuar mbi parimin që këta persona të largohen pas përfundimit të qëndrimit të autorizuar dhe që statusi i tyre i përkohshëm të mos shërbejë automatikisht si rrugë drejt rezidencës së përhershme.
Megjithatë, propozimi shkaktoi shqetësime të mëdha tek komunitetet e emigrantëve dhe ekspertët ligjorë. Shumë organizata e cilësuan masën si të paqartë dhe potencialisht të dëmshme për mijëra familje.
Kongresmeni demokrat Chai Garcia e kritikoi ashpër politikën, duke e cilësuar atë “të paarsyeshme dhe mizore”. Sipas tij, zbatimi i saj do të detyronte shumë emigrantë që ndodhen ligjërisht në SHBA, përfshirë bashkëshortët e qytetarëve amerikanë, të largoheshin nga familjet, vendet e punës dhe jeta e tyre për javë apo edhe muaj të tërë gjatë procesit të aplikimit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Washington Post, Shtetet e Bashkuara lëshojnë më shumë se një milion karta jeshile çdo vit. Aktualisht, mbi gjysma e aplikantëve ndodhen tashmë brenda territorit amerikan në momentin kur paraqesin kërkesën për rezidencë të përhershme.