Leonora Jakupi përlotet në studio: “Nuk e mendoj dot dënimin e atyre që luftuan për Kosovën”
Në prag të 16 shtatorit, datës kur pritet vendimi në Hagë për ish-krerët e UÇK-së, emisioni “Ftesë në 5” solli një bisedë të mbushur me emocione, kujtime dhe mesazhe mbështetjeje.
Leonora Jakupi, Gold AG, Blero dhe Ana Kabashi folën për angazhimin e tyre publik në mbështetje të ish-liderëve të UÇK-së, si dhe për historitë personale që i lidhin me periudhën e luftës dhe Kosovën.
Moment veçanërisht emocional ishte rrëfimi i Leonora Jakupit. Këngëtarja u përlot teksa foli për mundësinë e një dënimi ndaj personave që, sipas saj, kanë luftuar dhe kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Biseda u bë edhe më prekëse kur në studio u përfshi edhe nëna e saj. Të dyja rikthyen kujtime nga vitet e luftës dhe shprehën mirënjohjen për shqiptarët që, sipas tyre, strehuan dhe ndihmuan familjet nga Kosova gjatë asaj periudhe.
“Na mbajtën me bukë, ujë dhe shumë dashuri”, u shprehën ato, duke kujtuar mbështetjen që kishin marrë gjatë viteve të luftës.
Një ditë para vendimit të pritshëm në Hagë, rrëfimet në “Ftesë në 5” sollën në vëmendje jo vetëm qëndrimet e artistëve, por edhe kujtimet personale të njerëzve që e kanë përjetuar nga afër luftën dhe pasojat e saj.
