U shtri për të fjetur, por zbuloi një burrë të fshehur poshtë krevatit
Një qëndrim i zakonshëm në Tokio u kthye në një përvojë tronditëse për Natali Khomenko, e cila në mars 2025 po qëndronte e vetme në një hotel në kryeqytetin japonez.
Pas kthimit në dhomë, gjithçka dukej normale. Natali u shtri për të pushuar, por pak minuta më vonë vuri re një erë të pazakontë që vinte nga dhoma.
Fillimisht mendoi se mund të kishte mbetur ndonjë ushqim apo se bëhej fjalë për një problem tjetër. Por ndërsa kërkonte burimin e erës, ajo vendosi të kontrollonte edhe hapësirën poshtë krevatit.
Ajo që pa e la të ngrirë nga frika: një burrë ishte fshehur poshtë krevatit.
Sipas rrëfimit të saj, personi nisi të dilte nga vendi ku ishte fshehur. Natali filloi të bërtiste për ndihmë, ndërsa burri, i veshur me rroba të errëta, doli me shpejtësi nga dhoma dhe u largua në korridor.
Pas incidentit, në hotel mbërritën punonjësit dhe policia. Gjatë kontrollit të hapësirës poshtë krevatit u gjetën një kabllo USB dhe një bateri portative, por nuk u bë e qartë kujt i përkisnin.
Një tjetër mister mbeti mënyra se si personi kishte hyrë në dhomë. Sipas Natali-t, hyrja në dhoma kontrollohej me kartë elektronike dhe ajo nuk mori një shpjegim të qartë për mënyrën se si i panjohuri kishte arritur të futej brenda.
Pas ngjarjes, ajo u largua nga hoteli dhe rezervoi një dhomë tjetër. Për shkak të frikës së përjetuar, në hotelin e ri kërkoi që një pjesëtar i stafit ta shoqëronte gjatë kontrollit të dhomës.
Më vonë, Natali vendosi ta tregonte publikisht historinë e saj, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe përdoruesve në rrjetet sociale. Një mbrëmje që kishte nisur si një qëndrim i zakonshëm në Tokio, për të u shndërrua në një nga përvojat më të frikshme që kishte përjetuar.
