Poliçan – Kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erion Zylyftari, ka njoftuar dorëheqjen nga drejtimi i degës lokale të PS-së, gjatë një proteste të banorëve kundër planit për riorganizimin territorial të bashkive.
Gjatë fjalës së tij para qytetarëve të mbledhur në protestë, Zylyftari deklaroi se nuk mund të vazhdojë të përfaqësojë votuesit socialistë përballë një vendimi që, sipas tij, nuk përputhet me interesat e banorëve të Poliçanit.
Ai kritikoi propozimin për shkrirjen e Bashkisë së Poliçanit, duke thënë se qytetarët kanë mbështetur ndër vite Partinë Socialiste, por tashmë kjo forcë politike po propozon një ndryshim që prek drejtpërdrejt komunitetin vendas.
“Unë nuk mund të dal përballë këtyre qytetarëve që kanë votuar Partinë Socialiste ndër vite, kur vendimi është për shkrirjen e bashkisë sonë. Poliçani duhet të vazhdojë të jetë bashki më vete”, u shpreh Zylyftari.
Në fund të deklaratës së tij, ai bëri të ditur largimin nga posti drejtues në PS-në e Poliçanit, duke theksuar se zgjedhja e tij lidhet me mbështetjen ndaj qytetarëve.
“Jam me popullin dhe jo me partinë”, deklaroi ai para protestuesve.
Dorëheqja e Zylyftarit vjen në një kohë kur banorët e Poliçanit kanë nisur kundërshtime publike ndaj propozimit për bashkimin e bashkisë së tyre me Bashkinë e Beratit, në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale 2.0.


Be First to Comment