Një studente që iu bashkua protestave kundër qeverisë së Edi Ramës ka përcjellë një mesazh emocional, duke shpërthyer në lot teksa foli për vështirësitë me të cilat përballen të rinjtë në Shqipëri.
Ajo u shpreh se studentët kanë protestuar për muaj me radhë në mënyrë paqësore, por sipas saj, kërkesat e tyre nuk janë dëgjuar. Për këtë arsye, ajo paralajmëroi se do të vazhdojnë të dalin në rrugë për të kërkuar ndryshime.
Ndër kërkesat kryesore të saj ishin dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, përmirësimi i kushteve në konvikte, respektimi i ligjit dhe garantimi i drejtësisë. Studentja kritikoi gjithashtu dhunën ndaj protestuesve, duke theksuar se qytetarët duhet të kenë mundësinë të shprehin pakënaqësitë e tyre.
Momenti më prekës i fjalimit ishte kur ajo tregoi se jeton larg familjes, pasi prindërit, motra dhe vëllai i saj ndodhen në emigrim.
“Është e dhimbshme të jetosh këtu. Unë këtu nuk kam asnjë familjar. Motrën, vëllanë i kam të larguar. Edhe prindërit në emigrim. Prandaj kam dalë këtu”, u shpreh ajo mes lotësh.
E reja ngriti shqetësimin edhe për vështirësitë ekonomike, pagat e ulëta dhe kostot e jetesës, duke vënë në dukje se shumë të rinj e kanë të vështirë të sigurojnë një banesë dhe të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.
Ajo kritikoi gjithashtu pasurimin e pushtetarëve, ndërsa qytetarët përballen me probleme financiare. Në fjalën e saj, studentja kërkoi që zëri i protestuesve të merret seriozisht dhe që institucionet të mbajnë përgjegjësi.
Në fund, ajo kërkoi ndjesë ndaj bizneseve private që mund të jenë dëmtuar gjatë protestave dhe theksoi se të rinjtë nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre, pavarësisht vështirësive dhe përplasjeve.
“Le të dhunojnë sa të duan, zërin tonë nuk mund ta mposhtin”, përfundoi studentja.
