Veliaj kërkon përshpejtimin e çështjes, avokati i drejtohet Gjykatës së Lartë: Në rrezik ushtrimi i mandatit
Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka depozituar në Gjykatën e Lartë një kërkesë për përshpejtimin e shqyrtimit të çështjes ndaj kryebashkiakut të Tiranës, pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i ka lënë disa detyra kësaj gjykate.
Në kërkesën e tij, Ndreca argumenton se çdo vonesë në procesin e rigjykimit prek jo vetëm lirinë personale të Veliajt, por edhe mundësinë e tij për të ushtruar mandatin si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Mbrojtja ka kërkuar gjithashtu që Gjykata e Lartë të vlerësojë nëse masa e sigurisë “arrest me burg” vazhdon të jetë e nevojshme dhe proporcionale, si dhe nëse janë shqyrtuar në mënyrë reale alternativat e tjera të masave të sigurimit.
Sipas avokatit, koha është një element thelbësor në këtë çështje, pasi një vendim i marrë me vonesë mund të mos ketë më efekt praktik, nëse periudha e mandatit të kryebashkiakut do të jetë konsumuar pjesërisht ose tërësisht.
Në kërkesë ngrihen gjithashtu pretendime lidhur me mënyrën e paraqitjes së Veliajt gjatë seancave gjyqësore, konkretisht mbajtjen e tij në kabinën e xhamit. Mbrojtja kërkon një vlerësim nëse kjo praktikë është në përputhje me parimet e dinjitetit njerëzor, prezumimit të pafajësisë dhe të drejtës për një proces të rregullt ligjor.
Sipas Ndrecës, vendosja e një personi që konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar në një hapësirë të izoluar dhe të dukshme për publikun mund të krijojë perceptim të fajësisë përpara se ajo të provohet.
Mbrojtja argumenton se kjo çështje nuk lidhet vetëm me organizimin e sallës së gjyqit, por me standardet kushtetuese të trajtimit të të pandehurit dhe me garantimin e një mbrojtjeje efektive gjatë procesit gjyqësor.

Be First to Comment