Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin në jug të Otavës, në Kanada, ku një dentist 40-vjeçar dyshohet se vrau dy fëmijët e tij të mitur, përpara se t’i jepte fund jetës.
Sipas Policisë së Otavës, ngjarja ndodhi më 29 qershor në banesën e familjes, ku u gjetën të pajetë dy djemtë, 7 dhe 12 vjeç.
Hetuesit dyshojnë se pas krimit, 40-vjeçari Mohammed Al-Lami i vuri zjarrin klinikës dentare ku punonte. Më pas, ai u gjet i pajetë brenda automjetit të tij. Autoritetet po hetojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivin e ngjarjes, ndërsa po shqyrtojnë edhe historikun e marrëdhënies së tij me ish-bashkëshorten.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Al-Lami ishte përballur më herët me akuza për kërcënime ndaj ish-partneres së tij gjatë vitit 2024. Në atë proces ai kishte zgjedhur të vetëpërfaqësohej, ndërsa çështja lidhej me konfliktet e vazhdueshme pas ndarjes së çiftit.
Ish-bashkëshortja kishte deklaruar se, që pas ndarjes në vitin 2022, kishte përjetuar probleme të vazhdueshme dhe kishte kërkuar ndihmën e autoriteteve, duke shprehur shqetësime për sigurinë e saj dhe të dy fëmijëve.
Policia kanadeze vijon hetimet për këtë ngjarje të rëndë. Identiteti i dy të miturve nuk është bërë publik, në respekt të familjes, ndërsa autoritetet pritet të publikojnë informacione të tjera pas përfundimit të procedurave hetimore.

Be First to Comment