Kryeministri shqiptar, Edi Rama, është parë mëngjesin e kësaj të diele në aeroportin e Bazelit, ku sipas pamjeve të publikuara shfaqet duke lëvizur në ambientet e terminalit i shoqëruar nga një efektiv i sigurisë.
Vizita e tij në Bazel lidhet me zhvillimin e Art Basel, një nga aktivitetet më të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë, ku Rama është pjesë e programit zyrtar të këtij edicioni.
Udhëtimi zhvillohet në një periudhë kur në Shqipëri po vijojnë protestat kundër qeverisë, të cilat kanë hyrë në javën e tretë. Demonstruesit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit të investimit në Zvërnec, duke kërkuar rishikimin e vendimeve që lidhen me këtë nismë.
Sipas programit të Art Basel, kryeministri shqiptar prezantohet në seksionin publik “Parcours” me veprën artistike të titulluar “Societe A”. Vepra është një skulpturë monumentale e frymëzuar nga vizatimet dhe skicat që ai ka realizuar gjatë ushtrimit të detyrës si kryeministër, shpesh mbi dokumente dhe materiale zyrtare pune.
Organizatorët e ekspozitës e përshkruajnë projektin si një ndërthurje mes aktivitetit politik dhe krijimtarisë artistike, ku vizatimet e realizuara gjatë mbledhjeve, takimeve dhe proceseve institucionale transformohen në një instalacion skulpturor me përmasa të mëdha.
Vepra është krijuar përmes një procesi që nis nga skicat e punuara me dorë, vijon me modelimin përmes teknologjisë së printimit 3D dhe përfundon me derdhjen në bronz. Rezultati është një strukturë biomorfike mbi dy metra e lartë, e konceptuar si një hapësirë e hapur për ndërveprim dhe reflektim publik.
Në kuadër të ekspozitës, krahas skulpturës prezantohen edhe një sërë vizatimesh origjinale të realizuara nga Rama në dokumente zyrtare, axhenda pune dhe materiale të tjera të përdorura gjatë aktivitetit të tij institucional.