I ftuar në një lidhje live në emisionin “Now” me Esmeralda Mulajn, meteorologu Hakil Osmani nga Meteo Alb ka dhënë parashikimin e motit për ditët në vijim, duke theksuar se java nis me kushte të qëndrueshme atmosferike.
Sipas tij, fillimi i javës do të dominohet nga moti i kthjellët dhe intervale të gjata me diell, veçanërisht në vijën bregdetare. Ndërkohë, zonat malore do të përjetojnë herë pas here kalime vranësirash, me mundësi për reshje të pakta dhe të izoluara.
Temperaturat paraqiten të favorshme në ditët e para. Mëngjesi i sotëm ka shënuar rreth 5°C në zonat malore, ndërsa në ultësirën perëndimore maksimumet arrijnë deri në 25°C. Por, duke filluar nga dita e martë, pritet një rënie graduale e temperaturave. Në zonat malore, minimumet mund të zbresin deri në 1°C, ndërsa maksimumet në shkallë vendi nuk do të kalojnë 20°C.
Gjatë mesjavës, vranësirat do të jenë më të theksuara në zonat malore, ku mund të sjellin reshje të pakta shiu. Edhe ditët e enjte dhe të premte do të karakterizohen nga prezencë vranësirash, sidomos në zonat lindore, duke rritur lagështinë dhe mundësinë për reshje lokale. Pjesa tjetër e territorit do të mbetet kryesisht nën ndikimin e motit të qëndrueshëm, me alternime kthjellimesh dhe vranësirash.
Sa i përket erës, ajo do të jetë mesatare në fillim të javës, me shpejtësi deri në 35-40 km/h. Megjithatë, nga dita e premte dhe pjesërisht të shtunën, era mund të forcohet deri në 65 km/h, duke krijuar probleme për lundrimin detar.
Për fundjavën e Pashkëve Ortodokse, parashikimi mbetet pozitiv. Paraditet do të jenë kryesisht me diell, ndërsa pasditet do të sjellin kalime të lehta vranësirash. Temperaturat maksimale pritet të jenë rreth 21-22°C, duke krijuar kushte të favorshme për festime dhe aktivitete në natyrë.
Në rajon, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të përjetojnë gjithashtu mot të qëndrueshëm, me intervale dielli dhe vranësira të lehta. Temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë nga dita e martë, ku në disa zona minimale mund të zbresin deri në -1°C, ndërsa maksimumet do të luhaten nga 17°C deri në 22°C.