Mbi 32 mijë fermerë aplikojnë për subvencione, ja çfarë përfitimesh sjell skema e re për vitin 2026
Interesi i fermerëve për skemat mbështetëse në bujqësi vijon të jetë i lartë, me rreth 32.300 aplikime të regjistruara deri tani për përfitimin e fondeve të vitit 2026. Në dispozicion të sektorit është vendosur një fond prej 52 milionë eurosh.
Këtë vit janë parashikuar disa ndryshime të rëndësishme, ku rritet mbështetja financiare për blegtorinë dhe bletarinë, ndërsa kriteret për përfitim janë lehtësuar duke ulur numrin minimal të krerëve që duhet të zotërojnë fermerët.
Një nga risitë kryesore është subvencioni prej 100 eurosh për hektar për sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore, për fermerët që disponojnë të paktën 3 hektarë tokë.
Sipas skemës së re, fermerët që kanë minimumi 5 krerë gjedhë do të përfitojnë 12 mijë lekë për çdo kokë të matrikulluar, ndërsa bletarët do të mbështeten me 2 mijë lekë për çdo zgjua.
Për herë të parë është përfshirë edhe financimi për mbarështimin e dosave, me një mbështetje deri në 7 mijë lekë për kokë.
Nga fondi total, 2.5 miliardë lekë janë dedikuar për investime në sektorin bujqësor, ku përfshihet edhe grantimi i fermerëve të rinj me deri në 10 mijë euro për zhvillimin e aktiviteteve të tyre.
Autoritetet bëjnë me dije se një nga kushtet kryesore për përfitimin e mbështetjes është shlyerja e rregullt e detyrimeve të sigurimeve shoqërore.
Afati i fundit për aplikim është data 26 qershor dhe procedura kryhet online përmes platformës e-Albania.


Be First to Comment