Zaharova i përgjigjet Ramës për protestat në Shqipëri: “Rregulloni vetë problemet tuaja të brendshme”
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri.
Në një deklaratë të shpërndarë edhe nga Ambasada Ruse në Tiranë, Zaharova kundërshton pretendimet se Rusia dhe Irani qëndrojnë pas trazirave në vend.
Sipas saj, protestat janë shprehje e pakënaqësisë së qytetarëve shqiptarë dhe përgjegjësia për problemet e brendshme nuk duhet t’u atribuohet aktorëve të huaj.
“Jo, Edi Rama, janë qytetarët e vendit tuaj që kanë dalë në rrugë në protestë dhe ju nuk duhet t’ua hidhni fajin të tjerëve. Rregulloni vetë problemet tuaja të brendshme”, thuhet në deklaratën e Zaharovës.
Reagimi i zëdhënëses ruse vjen në një moment kur protestat në Shqipëri kanë shtuar tensionet politike, ndërsa deklaratat për ndikimin e mundshëm të faktorëve të huaj kanë hapur një tjetër debat mbi zhvillimet në vend.
