Muaji maj po mbyllet me temperatura të larta që kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit. Instituti i Gjeoshkencave, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, bën me dije se niveli i rrezikut për zjarre në pyje paraqitet më i lartë në qarqet Lezhë, Durrës dhe Fier.
Sipas njoftimit, pasditen e sotme dhe gjatë ditës së nesërme pritet nivel rreziku “i moderuar” në këto qarqe, ndërsa në Shkodër, Tiranë, Elbasan dhe Berat rreziku vlerësohet “i ulët”. Në qarqet e tjera nuk parashikohet rrezik për zjarre.
IGJEO sqaron gjithashtu se në disa zona të veçanta të qarqeve Shkodër, Tiranë, Elbasan dhe Berat mund të ketë rrezik të moderuar lokal, kryesisht në zonat jugperëndimore, lindore apo veriperëndimore të tyre.
Sipas institutit, niveli më i lartë i rrezikut pritet gjatë ditës së nesërme.
Sa i përket kushteve atmosferike, gjatë pasdites së sotme parashikohen reshje të dobëta dhe lokale, ndërsa nesër nuk priten reshje në të gjithë vendin.
Temperaturat për nesër pritet të jenë:
- Në bregdet: 18 deri në 32°C
- Në zonat e ulëta: 17 deri në 33°C
- Në zonat malore: 13 deri në 24°C