Çmimet e larta të naftës shkaktojnë shqetësime për fluturimet, reagon Aeroporti i Tiranës
Vetëm pak orë pasi u raportua se disa linja ajrore në botë kanë nisur të shkurtojnë fluturimet për shkak të rritjes së çmimit të karburantit, ka ardhur edhe reagimi nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në Instagram, TIA bën me dije se situata në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Sipas njoftimit, fluturimet vijojnë normalisht dhe nuk ka asnjë problem me furnizimin me karburant për linjat ajrore që operojnë në vend.
“Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës po zhvillohen sipas planifikimit. Furnizimi me karburant është i garantuar, duke siguruar vazhdimësi të plotë dhe shërbim të sigurt për të gjitha linjat ajrore”, thuhet në reagimin zyrtar.
Më tej, aeroporti thekson se prioritet kryesor mbeten pasagjerët, duke garantuar siguri dhe një eksperiencë të besueshme udhëtimi.
“Siguria dhe komoditeti i çdo pasagjeri mbeten në qendër të vëmendjes sonë”, përfundon njoftimi.