Rezerva e re e naftës, çmimi mund të rritet deri në 6.1 lekë për litër
Krijimi i rezervës strategjike të sigurisë me naftë bruto dhe nënprodukte të saj pritet të sjellë një kosto shtesë në çmimin e karburanteve në Shqipëri.
Sipas përllogaritjeve të operatorëve të importit dhe tregtimit, ndikimi në çmimin final të naftës dhe benzinës mund të arrijë deri në 6.1 lekë për litër.
Projektligji për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë parashikon krijimin gradual të një rezerve prej rreth 238 mijë tonësh, sasi që konsiderohet e barasvlershme me rreth 90 ditë importe.
Sipas operatorëve të tregut, vetëm tarifa për financimin e rezervës strategjike të naftës bruto mund të shtojë rreth 3.6 lekë për litër, me TVSH të përfshirë. Ndërkohë, kostot për rezervën tregtare, ku përfshihen blerja e produkteve, infrastruktura, siguria dhe mirëmbajtja, llogariten të shtojnë edhe rreth 2.5 lekë për litër.
Në total, kostoja shtesë mund të shkojë në rreth 6.1 lekë për litër, duke u reflektuar në çmimin që paguajnë konsumatorët për naftën dhe benzinën.
Rezerva do të krijohet brenda 5 viteve
Sipas projektligjit të miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe të dërguar për shqyrtim në Kuvend, rezerva prej 238 mijë tonësh do të krijohet gradualisht gjatë një periudhe pesëvjeçare.
Çdo vit parashikohet të blihet një sasi prej rreth 43 deri në 49 mijë tonë produkte energjetike, përfshirë naftë bruto, benzinë, diesel dhe karburant për avionë.
Financimi i krijimit dhe mirëmbajtjes së rezervës parashikohet të bëhet përmes një tarife që do të paguhet nga kompanitë. Niveli i saj është parashikuar fillimisht rreth 3 lekë për litër, ndërsa përcaktimi përfundimtar do të bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Nga kjo tarifë, sipas përllogaritjeve të paraqitura, mund të arkëtohen rreth 3.4 deri në 3.6 miliardë lekë në vit, ose afërsisht 40 milionë euro. Për krijimin e plotë të rezervës gjatë pesë viteve, kostoja totale vlerësohet rreth 200 milionë euro.
Operatorët dhe opozita kundërshtojnë tarifën
Efekti i tarifës në rritjen e çmimit për konsumatorët është pranuar edhe në relacionin shoqërues të projektligjit, ku theksohet se sigurimi i fondeve për rezervën do të rrisë barrën financiare në zinxhirin e furnizimit dhe, rrjedhimisht, çmimin final të shitjes.
Operatorët e tregut e kundërshtojnë këtë masë, duke argumentuar se tarifa është një barrë shtesë për sektorin dhe se është propozuar pa konsultim të mjaftueshëm me grupet e interesit. Ata e kanë cilësuar atë edhe si një “taksë të fshehtë”, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën e miratimit të saj.
Ndërkohë, deputeti i opozitës Enno Bozdo ka propozuar përmes një amendamenti që kostot e krijimit dhe financimit të rezervës të përballohen nga buxheti i shtetit, në vend që barra t’u kalojë kompanive dhe konsumatorëve.
Në argumentet e opozitës theksohet gjithashtu se tarifa po propozohet në një periudhë kur çmimet e karburanteve mbeten të larta dhe konsumatorët përballen me një barrë të konsiderueshme fiskale.
Aktualisht,
