Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Plovdivit në Bullgari, ku biznesmeni i njohur Ilian Filipov është vrarë me armë zjarri. Sipas informacioneve paraprake, ai është qëlluar në kokë dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Sipas Ministrisë së Brendshme bullgare, rreth orës 01:00 policia është njoftuar për një person të plagosur me armë zjarri në një zonë të Plovdivit. Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët kanë konstatuar se viktima ishte Ilian Filipov dhe se ai kishte humbur jetën.
Autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e rrethanave të krimit. Aktualisht po punohet për identifikimin e autorit ose autorëve, ndërsa motivi i vrasjes mbetet ende i panjohur. Deri në këto momente, policia nuk ka bërë të ditur nëse ka persona të dyshuar apo ndonjë pistë konkrete hetimi.
Filipov ishte një figurë e njohur në sektorin e biznesit në Bullgari. Ai ishte themelues dhe drejtor ekzekutiv i PIMK, një prej kompanive kryesore të transportit në vend dhe një kompani me aktivitet të rëndësishëm edhe në tregun europian.
Emri i tij ishte i njohur edhe në botën e futbollit. Filipov kishte mbajtur postin e presidentit të klubit Botev Plovdiv dhe ishte i përfshirë në projektin për rindërtimin e stadiumit “Hristo Botev”.
Pas lajmit për vdekjen e tij, klubi Botev Plovdiv reagoi përmes rrjeteve sociale, duke shprehur dhimbjen dhe duke kujtuar kontributin e biznesmenit për klubin.
Në deklaratën e publikuar nga klubi thuhet se Filipov do të mbetet pjesë e historisë së Botev Plovdiv, ndërsa theksohet roli i tij në mbështetjen dhe shpëtimin e klubit gjatë një periudhe të vështirë.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet bullgare ende nuk kanë bërë të ditura detaje të tjera mbi motivin e ngjarjes dhe personat përgjegjës për vrasjen.
