Kolesteroli i lartë (hiperkolesterolemia) është një faktor i rëndësishëm rreziku për sëmundjet kardiake dhe infarktin e trurit. Nivelet jo normale të LDL-kolesterolit (i njohur si kolesteroli “i keq”) dhe HDL-kolesterolit (i njohur si kolesteroli “i mirë”) trajtohen përmes dietës me përmbajtje të ulët yndyrnash, rritjes së aktivitetit fizik, si dhe medikamenteve si statinat.
Edhe pse kolesteroli shpesh lidhet me ushqimet e pasura me yndyrë, pjesa më e madhe e tij prodhohet nga vetë organizmi. Mëlçia prodhon rreth 75% të kolesterolit që qarkullon në trup, ndërsa vetëm 25% vjen nga ushqimi.
Në kushte normale, kolesteroli luan një rol të rëndësishëm në funksionimin e qelizave. Statistikat tregojnë se nivele të larta të kolesterolit janë të pranishme te mbi 100 milion amerikanë.
Rreth një e treta e kolesterolit në gjak transportohet nga HDL (lipoproteina me densitet të lartë), e cila ndihmon në largimin e kolesterolit të keq dhe parandalon depozitimin e tij në muret e arterieve. Për këtë arsye, HDL quhet kolesteroli “i mirë”.
Personat me nivele të larta të HDL kolesterolit kanë një mbrojtje më të madhe ndaj sëmundjeve kardiovaskulare. Një dietë e pasur me yndyrna të shëndetshme, si vaji i ullirit, mund të ndihmojë në rritjen e HDL-së.
Kolesteroli dhe historia familjare
Kolesteroli vjen nga dy burime: ushqimi dhe prodhimi në organizëm. Të dy faktorët mund të kontribuojnë në rritjen e tij. Disa persona trashëgojnë gjene që nxisin prodhimin e shtuar të kolesterolit, ndërsa tek të tjerë dieta është shkaku kryesor.
Yndyrnat e ngopura gjenden kryesisht në ushqime me bazë shtazore, si mishi, vezët, qumështi dhe nënproduktet e tij. Në shumë raste, kolesteroli i lartë është rezultat i kombinimit të faktorëve gjenetikë dhe dietës jo të shëndetshme.
Ushqimet me përmbajtje të lartë kolesteroli
Prodhimet e mishit dhe nënproduktet e tij (sallamet, proshutat, mishrat e konservuar), bulmeti dhe nënproduktet e tij (gjalpi, djathi i fortë, kremrat, majoneza), si dhe ushqimet e përpunuara me yndyrë të lartë duhet të konsumohen me kujdes.
Ushqime të rekomanduara
Rekomandohen peshku, mishi i pulës dhe viçit pa yndyrë, vezët në sasi të kufizuar, si dhe të gjitha llojet e perimeve dhe frutave të freskëta. Nga frutat e thata rekomandohen arrat, bajamet, lajthitë dhe kikirikët. Vaji i ullirit konsiderohet ndër yndyrnat më të shëndetshme.
Ushqimet e pasura me antioksidantë dhe omega-3, si frutat e freskëta me ngjyrë (shega, rrushi, qershitë, kumbullat, boronicat), si dhe disa lloje çajrash, ndihmojnë në mbrojtjen e organizmit.
Shenjat
Kolesteroli i lartë zakonisht nuk shfaq simptoma të dukshme. Megjithatë, kur shoqërohet me faktorë të tjerë rreziku, mund të çojë në komplikacione serioze kardiovaskulare.

Be First to Comment