Shkodër – Një 48-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim nga drejtësia, ka humbur jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku ishte paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas Policisë, K. D., banues në fshatin Grudë e Re, ishte paraqitur paraditen e djeshme në spital për shkak të problemeve shëndetësore. Pavarësisht ndihmës mjekësore, ai ka ndërruar jetë gjatë mbrëmjes.
48-vjeçari rezultonte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkodrës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Pas ngjarjes, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur veprimet për të sqaruar dhe dokumentuar plotësisht rrethanat e vdekjes.
Ngjarja vijon të jetë nën hetim.
