60-vjeçarja bëhet nënë në Itali, babai i foshnjës është 70 vjeç
Një rast i rrallë lindjeje është regjistruar në provincën e Salernos, në Itali, ku një grua 60-vjeçare ka sjellë në jetë një vajzë, ndërsa babai i foshnjës është 70 vjeç.
Vajza, e pagëzuar me emrin Francesca Pia, ka lindur në një strukturë shëndetësore të zonës së Salernos, pas një shtatzënie të ndjekur nga gjinekologu Mario Polichetti, i specializuar në riprodhimin e asistuar.
Sipas mjekut, foshnja ka lindur në gjendje të mirë shëndetësore, me peshë 2.4 kilogramë, dhe po zhvillohet normalisht.
“Jemi përballë një rasti vërtet të jashtëzakonshëm, pasi arritja e një shtatzënie në moshën 59-vjeçare është një ngjarje jashtëzakonisht e rrallë”, deklaroi Polichetti.
Ai theksoi se mosha e prindërve e bën këtë rast veçanërisht të pazakontë, ndërsa shtatzënitë në mosha të tilla kërkojnë mbikëqyrje dhe kujdes të posaçëm mjekësor.
“Francesca Pia është në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe kjo është ajo që na gëzon më shumë”, u shpreh gjinekologu.
Sipas Polichettit, lindja përfaqëson përfundimin e suksesshëm të një procesi të vështirë dhe një rast me interes të veçantë për shkak të moshës së prindërve.
