Skip to content

Nga Kur’ani te qendra amerikane: I riu nga Shkupi që ndërthur besimin me teknologjinë

Metin Ferrati, i riu nga Shkupi që ndërthur besimin me teknologjinë dhe synon tregun ndërkombëtar

Vetëm 25 vjeç, Metin Ferrati nga Shkupi po ndërton një rrugëtim që ndërthur teknologjinë, besimin dhe sipërmarrjen. Pasioni për teknologjinë, të cilin e ka kultivuar që në fëmijëri, e ka shtyrë të krijojë projekte me synimin për t’u shërbyer njerëzve dhe komunitetit.

Një nga projektet e tij është aplikacioni që mundëson leximin e Kuranit në gjuhën shqipe, duke ofruar tekstin origjinal në arabisht dhe përkthimin në shqip. Veçoria kryesore është përkthimi fjalë për fjalë, i cili u ndihmon përdoruesve të kuptojnë më në detaje kuptimin dhe strukturën e tekstit të shenjtë. Ideja lindi edhe nga nevoja personale e Metinit dhe familjes së tij për ta kuptuar më thellë tekstin, përtej përkthimit të zakonshëm të fjalive.

Aplikacioni është falas, pa reklama dhe mund të përdoret edhe pa lidhje interneti. Përmes funksionit “Mushaf”, ai ruan automatikisht faqen e fundit të lexuar, duke ua lehtësuar përdoruesve vazhdimin e leximit. Versioni për iOS ka regjistruar mijëra shkarkime, ndërsa ai për Android ndodhet në fazën e testimit.

Përveç këtij projekti, Ferrati është themelues i N’Katror, një komunitet teknologjik i krijuar në Shkup me synimin për të bashkuar të rinjtë shqiptarë që interesohen për teknologjinë, inovacionin dhe sipërmarrjen. Nisma synon të krijojë një hapësirë ku të rinjtë mund të mësojnë, të shkëmbejnë ide dhe të zhvillojnë projekte të përbashkëta.

Një tjetër hap në rrugëtimin e tij është VRTEX, startup-i i ri i regjistruar në Shqipëri. Projekti është përzgjedhur në programin e përshpejtimit Plug and Play Tirana Expo, pjesë e rrjetit ndërkombëtar të inovacionit me origjinë nga Silicon Valley.

Për Metinin, kjo përzgjedhje përbën një mundësi për ta zhvilluar më tej idenë dhe për ta orientuar atë drejt tregjeve ndërkombëtare, duke synuar të shfrytëzojë potencialin e një prej ekosistemeve më të njohura të teknologjisë në botë.

Nga një aplikacion që synon ta bëjë më të kuptueshëm Kuranin për lexuesit shqipfolës, te nismat që mbështesin zhvillimin teknologjik të të rinjve dhe sipërmarrjen, rrugëtimi i Metin Ferratit dëshmon përpjekjen për ta vënë teknologjinë në shërbim të njerëzve dhe komunitetit.

Published inNews Shqip