Një moment i tmerrshëm është shënuar në Siracusa të Italisë, ku një turiste britanike dhe vajza e saj 5-vjeçare përjetuan çaste paniku pasi makina me të cilën udhëtonin përfundoi në det, në ujërat e portit të vogël të Ortigias.
Sipas informacioneve paraprake, gruaja humbi kontrollin e automjetit gjatë një manovre, duke bërë që mjeti të binte menjëherë në ujë. Britmat e dëshpëruara të nënës dhe vajzës alarmuan dy kalimtarë të rastit, të cilët reaguan pa hezitim duke u hedhur në det dhe arritën t’i shpëtonin të dyja brenda pak minutash.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë dhe zjarrfikësit, të cilët siguruan zonën dhe verifikuan gjendjen shëndetësore të tyre. Fatmirësisht, nëna dhe vajza ishin në gjendje të mirë dhe refuzuan ndihmën mjekësore emergjente.
Më pas, autoritetet nisën operacionin për nxjerrjen e makinës nga deti. Gjatë ndërhyrjes u rikuperuan edhe sendet personale të gruas, përfshirë dokumentet dhe telefonin celular. Po ashtu, u riparuan dëmtimet e shkaktuara në zinxhirin e sigurisë dhe pengesat e betonit, të cilat u zhvendosën nga përplasja e fortë e mjetit.