Nga sot ka hyrë në fuqi faza e dytë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale, duke e çuar atë në 500 euro bruto në muaj.
Kjo masë është pjesë e një procesi të miratuar më herët nga ekzekutivi, i cili parashikonte rritjen graduale të pagës minimale në dy faza. Në fazën e parë, të zbatuar më 1 janar 2026, paga minimale ishte rritur nga 350 në 425 euro bruto.
Sipas autoriteteve, rritja synon përmirësimin e standardit të jetesës, rritjen e fuqisë blerëse dhe përshtatjen e pagës minimale me kostot në rritje të jetesës. Nga kjo masë pritet të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë, kryesisht në sektorin privat.
Ndërkohë, Inspektorati Qendror i Punës ka paralajmëruar kontrolle për zbatimin e vendimit dhe trajtimin e çdo ankese që lidhet me mosrespektimin e pagës së re minimale.
Përfaqësues të biznesit dhe disa sindikata kanë shprehur më herët shqetësime për ndikimin e kësaj rritjeje në sektorë të ndryshëm, duke kërkuar edhe masa mbështetëse për kompanitë.

Be First to Comment