Tronditëse në Gjermani: Mjeku i njohur gjendet i vdekur në banesë, djali i tij dyshohet për krimin
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Dortmundit, në Gjermani, ku një mjek i njohur është gjetur pa shenja jete në banesën e tij. Për ngjarjen dyshohet djali i viktimës, i cili, sipas raportimeve të mediave gjermane, është paraqitur vetë në polici.
Sipas informacioneve të publikuara, viktima është Harald N., një pediatër i njohur dhe i vlerësuar për punën e tij shumëvjeçare në shërbim të fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Pas deklarimit të 41-vjeçarit në polici, autoritetet shkuan në banesën e mjekut, ku gjetën trupin e pajetë. Menjëherë u nisën hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Policia dhe Prokuroria po hetojnë motivin e dyshuar të krimit, ndërsa specialistët po mbledhin prova dhe po marrin në pyetje persona që mund të kenë dijeni për rastin.
Trupi i viktimës do t’i nënshtrohet autopsisë, e cila pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes dhe të ndihmojë në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, prokuroria pritet të vendosë për masën e sigurisë ndaj 41-vjeçarit, i cili dyshohet për përfshirje në këtë ngjarje. Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë publike detaje mbi motivin e mundshëm.
Harald N. jetonte i vetëm prej disa vitesh, pasi bashkëshortja e tij kishte ndërruar jetë në vitin 2019. Ai njihej si një mjek i përkushtuar dhe gëzonte respekt të madh në komunitetin ku ushtronte profesionin, veçanërisht për mbështetjen që u ofronte fëmijëve të sëmurë dhe familjeve të tyre.
Hetimet për këtë çështje vazhdojnë dhe autoritetet gjermane pritet të publikojnë më shumë informacione pasi të përfundojnë ekspertizat mjeko-ligjore dhe procedurat hetimore.


Be First to Comment