Skip to content

Ngjarje e rëndë! Elektriçisti i ri humb jetën tragjikisht gjatë punës në shtyllën elektrike

Një tragjedi është regjistruar mbrëmjen e së hënës në Shkodër, ku një elektricist 34-vjeçar ka humbur jetën pasi është goditur nga rryma elektrike gjatë përpjekjes për të riparuar një defekt në rrjetin elektrik.

 

Sipas informacionit paraprak të policisë, i riu, me inicialet A. N., është transportuar në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës rreth orës 20:36, por ka mbërritur pa shenja jete.

 

Nga hetimet e para dyshohet se elektricisti ishte thirrur jashtë orarit zyrtar të punës nga disa banorë të fshatit Bardhaj, të cilët kishin mbetur pa energji elektrike.

 

Gjatë ndërhyrjes për riparimin e defektit në një shtyllë elektrike, 34-vjeçari dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën, duke pësuar goditje fatale.

 

Një tjetër detaj që po shqyrtohet nga autoritetet është fakti se ai dyshohet se kishte ndërhyrë në rrjet pa njoftuar paraprakisht dispeçerinë e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

 

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe përcaktimin e përgjegjësive.

Published inNews Shqip