Numërohen votat e diasporës: Vetëvendosje forca më e votuar

Ka nisur publikimi i rezultateve të para nga numërimi i votave në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditura deri tani rezultatet nga rreth 4% e votave të numëruara në ambasada dhe konsullata. Sipas të dhënave paraprake nga dy prej 47 kutive të votimit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 1,024 vota, ose 84% të totalit.

Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 92 vota, që përbëjnë 7.55%, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 66 vota, ose 5.41%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 23 vota, përkatësisht 1.89%.

Bazuar në rezultatet e deritanishme nga votat e përfaqësive diplomatike, Vetëvendosje ka siguruar mandatin e 49-të në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë, PDK mbetet me 24 ulëse parlamentare, ndërsa LDK me 19.

Nga ana tjetër, KQZ njofton se deri më tani janë numëruar 92.87% e votave të vendvotimeve të rregullta në të gjithë Kosovën. Rezultatet paraprake tregojnë se Vetëvendosje kryeson me 42.53% të votave, e ndjekur nga PDK me 21.23%, LDK me 17.12% dhe AAK me 7.42%.

Zgjedhjet e parakohshme u zhvilluan pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Seanca e fundit parlamentare, e nisur më 27 prill dhe e përfunduar më 28 prill, nuk arriti të sigurojë kuorumin e nevojshëm për votim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *