Kombet e Bashkuara në Shqipëri kanë përsëritur thirrjen për dialog konstruktiv dhe uljen e tensioneve, pas protestave të shoqëruara me përplasje dhe raportime për akte dhune.
Në reagimin e saj, organizata thekson se dhuna dhe shkatërrimi i pronës publike apo private janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike e paqësore.
OKB-ja vë në dukje gjithashtu rëndësinë e respektimit dhe garantimit të të drejtave themelore, përfshirë të drejtën për tubim paqësor dhe lirinë e shtypit.
Një tjetër çështje e ngritur në deklaratë lidhet me veprimet e agjencive të zbatimit të ligjit. Sipas OKB-së, këto veprime duhet të respektojnë parimin e proporcionalitetit, ndërsa për çdo person duhet të garantohen të drejtat për një proces të rregullt ligjor.
Reagimi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri:
“OKB-ja në Shqipëri përsërit thirrjen e saj për dialog konstruktiv për të ulur tensionet. Aktet e dhunës dhe shkatërrimi i pronës publike ose private janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe paqësore.
Ne përforcojmë mesazhin se e drejta për tubim paqësor dhe liria e shtypit janë të drejta themelore që duhen respektuar dhe mbrojtur.
Ne gjithashtu theksojmë rëndësinë e respektimit të parimit të proporcionalitetit në veprimet e zbatimit të ligjit dhe garancitë për një proces të rregullt ligjor.”
